“Vullnetarizmi shpërndan dashuri” – murali i krijuar nga nxënësit e gjimnazit “Jeta e Re”

Shkruan: Erëza Kida

Data e Publikimit: 02.09.2021

Arti dhe veprat e bukura artistike të shfaqura në hapësira publike japin një imazh pozitiv dhe ndikojnë në aktivitetet ditore të njerëzve. Në hapësirat publike shpesh ekzistojnë objekte monotone të cilat kanë nevojë për ndërhyrje estetike, të cilat mund të shprehen në forma të ndryshme artistike. Integrimi i artit në këto objekte bëhet edhe përmes muraleve të ndryshme – dhe - një rast i tillë ishte krijimi i muralit në Gjimnazin “Jeta e Re” në Suharekë. Realizimi i muralit ishte mundësi që nxënësit të jenë të lirë të shprehin veten e tyre, dhe përmes ngjyrave të krijojnë vende ku ata ndihen më mirë.

Procesi dhe inaugurimi i muralit

Me ftesë të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Programi “Përkrahje adoleshentëve pas mësimit të rregullt” – ASSET, i financuar nga USAID, i është bashkuar iniciativës për organizimin e e aktiviteteve të ndryshme për shënimin e Muajit të Rinisë. Programi ASSET vendosi të promovojë punën vullnetare të të rinjve në shkollat partnere.

Aktiviteti filloi në një punëtori dy-ditore të udhëhequr nga dizajneri Taulant Qerkini, ku nxënësit mësuan për metodat e realizimit të muralit, që përfshijnë pikturimin me ngjyra dhe teknikën me sprej. Ata po ashtu ndanë idetë e tyre rreth elementeve që mund të integrohen në mural. Njohuritë e fituara i zbatuan së bashku për dy ditë tjera nën mentorim të dizajnerit Taulant Qerkini dhe mësimdhënësit të artit Fatmir Bajraktari.

Gjatë këtij procesi u vërejtë përkushtimi, entuziazmi dhe bota kreative e të rinjve. Ata përmes shumëllojshmërisë së ngjyrave arritën të krijojnë një mural me elemente që karaterizojnë komunën e tyre. Me të parë muralin, ne shohim forma që asociojnë në elemente të nxjerra nga vreshtat, pra nga kultura bujqësore më e përhapura në zonën e Suharekës; format e rrumbullakëta simbolizojnë rrushin cilësor, ndësa gjethet e tij me nuanca e ngjyra natyrale japin imazhin e përgjithshëm të kësaj kulture bujqësore. Yjet paraqesin nxënësit e shkollës dhe njëkohësisht prezantojnë angazhimet e tyre vullnetare për të krijuar një mjedis gjithëpërfshirës. Ndërsa rrathët e kaltërt paraqesin lumin e këtij qyteti. Dizajneri Taulant Qerkini shprehet që i gjithë procesi ka qenë reflektim i ideve të nxënësve, dhe kjo më së miri u finalizua me shprehjen “Vullnetarizmi shpërndan dashuri”.

Për t’i dhënë rëndësi përmbylljes së Muajit të Rinisë, më 27 gusht 2021 u bë inaugurimi i muralit. Të pranishëm në ceremoninë inauguruese ishin Ministri i MKRS-së, z.Hajrulla Çeku, Drejtoresha e Programit znj. Valmira Haxhaj Gushlla, Drejtori Komunal për Arsim, z. Remzi Bajselmani dhe përfaqësues të stafit shkollor.

Realizimi i këtij aktiviteti rezultoi i suksesshëm, jo vetëm në përfshirjen dhe angazhimin e nxënësve, por edhe për të frymëzuar ide për nisma të ngjashme në shkollat tjera të vendit. Në fjalimin e tij, Ministri i Kulturës ndër të tjera u shpreh që po ndihet i frymëzuar nga mjedisi dhe la mundësinë e krijimit të një ideje më të gjerë që ky aktivitet të bëhet një nismë nacionale; aty ai ftoi pjesëmarrësit që të mblidhen dhe të punojnë në implementimin e një programi, nga i cili mund të përfitojnë edhe shkolla tjera të Kosovës. Ministri la të kuptohet që një ngjarje e tillë është me interes të lartë për formimin dhe integrimin e artit në shkolla.

“Kjo nuk është veç një ndërhyrje artistike, është shumë më shumë, është me e nxjerrë lëndën e artit figurativ jashtë kornizave të një blloku. Më keni inspiruar të dizajnojmë një program që i mobilizon nxënësit të jenë pjesë e ndërhyrjeve artistike në shkollë”, u shpreh Ministri Çeku.

Qëllimi i këtyre aktiviteteve mbi të gjitha është që nxënësve t’u ofrohen hapësira dhe forma të ndryshme bashkëpunuese jashtëkurrikulare. Në kuadër të vizitës, Ministri Çeku vizitoi edhe hapësirën krijuese “Makerspace”, e themeluar nga Programit ASSET, hapsirë të cilën ia prezantoi Drejtoresha e Programit. I befasuar nga pajisja e kësaj hapësire me teknologji bashkëkohore, ai u shpreh se nxënësit përfitojnë shumë nga aktivitete të tilla që ndërlidhin shkencën me punën praktike, e pastaj kjo rezulton me krijimin e produkteve të ndryshme që promovojnë dhe ngjallin kreativitetin e nxënësve.

“Në këtë aktivitet kemi përfshirë edhe nxënës të Klubit të Teknikëve dhe Karrierës, klube të themeluara nga Programi - të cilët në mënyrë vullnetare organizojnë aktivitete për bashkëmoshatarët e tyre. Këta nxënës, përmes këtij murali kanë treguar se si ndikon vullnetarizimi në nivel komuniteti” – tha ndër tjera, Drejtoresha e Programit znj.Valmira Haxhaj – Gushlla.

Në fund, Drejtori i Arsimit z.Bajselmani shprehu gatishmërinë që murale si ky të zbatohen edhe në shkollat e tjera të Suharekës, me qëllim që të shtohen hapësirat artistike. “Kjo vepër është shumë e mirë, motivuese për nxënësit adoleshentë dhe shpresoj si ky mural të kemi edhe në shkolla tjera” u shpreh z. Remzi Bajselmani.


***

Erëza Kida ka përfunduar studimet ne Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike – FIEK, në Universitetin e Prishtinës "Hasan Prishtina", dhe është duke vazhduar në programin master në Menaxhment dhe Informatikë poashtu në Universitetin e Prishtinës. Aktualisht ajo është e angazhuara si praktikante në Programin e USAID-it “Përkrahje Adoleshentëve pas Mësimit të Rregullt”. Ky artikull është shkruar nga vëzhgimet dhe diskutimet e tyre me ekipin dhe jodomosdoshmërisht paraqesin pikëpamjen e Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtarë ose Qeverisë së Shteteve të Bashkuara.